A e dini ato petullat (pallaqinkat) e trasha që i shohim në filma? E, ato janë Petulla Amerikane. A janë të shijshme ashtu siç duken aty? Lehtë me u gatu? E a mund t’i bëjmë ato edhe ne në shtëpi? Epo, qëndroni deri në fund me ne që ta kuptoni!
Së pari, qartësojmë një gjë:
Emri ‘pallaqinka’ që jemi mësuar ta dëgjojmë, nuk është në gjuhën shqipe! ‘Palačinke’ është fjalë serbe që është trashëguar në gjenerata, prandaj, në këtë artikull fjalën ‘pallaqinkë’ do ta gjeni si petull. (Patriota bre!)
Tani që e larguam këtë prej mendjes, le të flasim për pallaqinkat – jo, por – për petullat. (“Përsëritja është nëna e mësimit”)

Nëse mendoni se nëna apo gjyshja juaj ka qenë e para që i ka zbuluar petullat, gaboheni, edhe pse ndoshta ato i kanë gatuar të shijshme (shpresojmë që i gatuajnë akoma, asnjëherë nuk je aq i rritur për petulla), prapëseprapë, petullat kanë një histori të vjetër. Më të vjetër se gjyshet tona!
Analizat e kokrrave të niseshtes në mjetet e grirjes të para 30.000 vitesh (po po, 30 MIJË) tregojnë se kuzhinierët e Epokës së Gurit bënin miell prej bimës së fierit dhe bimës cattail, të cilën, hulumtuesit besojnë, se e përzienin me ujë dhe e piqnin në një guri të nxehtë. Rezultati ka mundur të jetë i ngjashëm më shumë me ndonjë biskotë të fortë se sa me petullat e sotme por, ideja ishte e njëjtë: një petë brumi e hollë dhe e skuqur.
Ndërsa sot, kultura të ndryshme kanë zhvilluar versione të ndryshme të petullave, prej Crepes, potato latkes, boxty Irlandeze, blini Ruse, crampog i Welsit, poori Indiane, palacsinta Hungariane dhe pannenkoeken Daneze, ato zënë vend në tavolinë për mëngjes, darkë dhe drekë në gjithë botën.
Dallimi mes petullave Evropiane dhe Amerikane
Crepet Evropiane

Petullat e para ishin bërë me miell të bimës spelt (një lloj drithëri, sikurse gruri por më i pastër). Ndërsa fjala petull (pancake) së pari është shkruar në një dokument Anglez të shekullit 15-të, kurse fjala crepe rrjedh prej fjalës Latine crispusm që i bije “e dredhur”.
Crepet Evropiane – prej palačinka Sllovene, petulla Suedeze, pannenkoeken Daneze apo Palatschinken Austriake, janë zhvilluar forma të ndryshme të përgatitjes së tyre.
Dallimi kryesor i crepe prej palačinka Slovene është se brumi i crepe duhet të lihet të pushojë për disa orë para se të përdoret, për dallim prej tjetrës që mund të përdoret menjëherë.
Petullat Amerikane
Petullat Amerikane kanë të njëjtit përbërës (vezë, miell, qumësht, gjalpë) por atyre u shtohet vetëm një përbërës për fryrje (sodë buke). Për dallim prej crepes që janë kryesisht të sheshta dhe kanë një kanal për mbushje, petullat janë më të trasha dhe kanë më shumë teksturë.
Petullat Amerikane shërbehen të palosura mbi njëra tjetrën dhe me sirup panje – që në Evropë është vështirë për tu gjetur. Kjo trashësi e brumit, e bën të lehtë që në të shtohen përbërës tjerë si: banane, boronica, çokollate, proshutë apo të tjera.
Tani, ta përfundojmë bisedën. Vijmë tek pjesa juaj më e pëlqyer e blogut tonë – receta!
Përgatitja e petullave është e lehtë.( Merrni frymë lirshëm!). Ndoshta nuk është më lehtë se sa ti hamë të gatshme të përgatitura nga gjyshja (fëmij t’lazdrum) por, prapë janë të lehta për tu përgatitur vetë.
Çfarë ju duhet:
195gr Miell
2 lugë gjelle Sheqer
1 lugë gjelle Sodë Buke
½ lugë çaji kripë
295ml Qumësht
1 Vezë të madhe
4 lugë gjelle Gjalpë pa krip
1 lugë çaji ekstrakt vanilje
Përgatitja
Përzini përbërësit e terur – miellin, sheqerin, sodën e bukës dhe kripën në një pjatë të thellë;
Nxehni qumështin deri sa të jetë i vakët, jo i nxehtë, mund ta bëni në mikrovalë;
Përzini përbërësit e lagur – qumështin me vezë, gjalpin e shkrirë dhe ekstraktin e vaniljes mirë;
Përzini përbërësit e lagur dhe të terur së bashku.
Pjekja
Nxehni një tigan në nxehtësi mesatare. Tigani është gati kur, nëse e spërkatni me pak ujë, uji kërcen nëpër të.
Shtrini vetëm pak gjalpë në tigan. Merrni një tas të vogël për të matur brumin dhe vendoseni në tigan. Ngadalë shpërndajeni brumin në tigan në formë rrethi.
Kur skajet duken të thata dhe fillojnë të dalin flluska në petull, rrotullojeni. Kjo merr kohë 1 deri në 2 minuta. Kur e rrotulloni, gatuajeni edhe për 1 ose 2 minuta të tjerë.
Shërbejini të nxehta, me sirup, gjalpë dhe me boronica, dhe
Ja ku u bënë edhe petullat!