Këto kifle në formë gjysmëhënë që na shkrihën në gojë çdo herë që i provojmë! Me çokollatë, xhem apo çfarëdo produkti tjetër që të jetë, nuk luan shumë rol, pjesa më e rëndësishme është peta!
Keni provuar ta bëni vet kroasant e nuk ju ka dalë ajo që keni pritur me të parën? A jeni dorëzuar nga përgatitja e tyre, sepse nuk po mundeni ta bëni perfekt? Mos u shqetësoni, sepse nuk jeni të vetmit!
Sikurse me pastat që ju shokuam, bëhuni gati të befasoheni prapë! Kroasantët nuk janë shpikur në Francë!
E vërtetë që kroasantët kanë një histori të gjatë dhe përgatiten që shumë kohë. Por, ato janë pasardhës të kifleve kipferl që janë përgatitur në Austri që prej shekullit 13-të. Ndërsa, për kroasantët Francez me peta që i njohim sot, historianët nuk kanë gjetur ndonjë recetë që dokumenton ato para shekullit të 20-të.
Kroasantët e kanë marrë emrin prej formës gjysmëhënë (croissant) në gjuhën Frënge dhe, ato janë si pasardhëse të kifleve kipferl. Po pra, prap shokuese!

Kroasantët vërtet që janë vështirë të pregatiten – për fillestarët! Por, sikurse që themi se asgjë nuk është e pamundur, as kroasantët nuk janë të pamundur për t’i perfeksionuar. Janë vështirë të mësohen por, jepini kohë vetes dy apo tre herë para se t’i perfeksiononi. Edhe ekspertët mund të gabojnë!
Që të mos gaboni në përgatitje, ndiqeni këtë recetë! Ju duhet ta praktikoni këtë të paktën tre herë para se të filloni të eksperimentoni me shije e me përbërës të tjerë. Poashtu, mos prisni që herën e parë ta bëni një kroasant perfekt.

Çfarë ju duhet:
500 gram (4 tasa) Miell
80 gram Sheqer kokërr
20 gram Maja buke e terur
12 gram Krip kuzhine
280 gram Gjalpë pa krip
230 mililitra Qumësht
Vezë për lyerje (1 vezë me 1 ose 2 lugë ujë)
Përgatitja:
- Vendoseni miellin, sheqerin, majanë dhe kripën në një tas të madhë dhe përzijeni së bashku derisa të kombinohen.
- Prisni gjalpin në rriska të trasha prej përafërsisht 4mm dhe vendosni në përzierjen e miellit.
- Shtoni edhe qumështin dhe përzini deri sa të formohet brumë i trashë.
- Mbështilleni brumin me folje plastike dhe lëreni të pushojë për 1 orë.
- Në diçka të rrafshët dhe me pak miell, shtrijeni brumin në formë drejtkëndëshe.
- Paloseni (sikurse letër), kthejeni anën tjetër dhe shtrijeni prapë, përsëriteni këtë 4 deri 6 herë deri sa brumi të jetë i rrafshët.
- Mbështilleni mirë dhe lëreni të pushojë për 1 orë dhe pastaj ndani brumin në dy pjesë dhe shtrijeni më një trashësi prej 3-4mm në formë të gjatë drejtkëndëshe (përafërsisht 25 cm të gjërë dhe 55 të gjatë).
- Prisni brumin në trekëndësha të gjatë.
- Kthejeni trekëndëshin nga pjesa e gjerë në mënyrë që të formohet një lloj dhëmbi dhe rrotullojeni prej pjesës së gjerë nga ajo e holla dhe në fund vendoseni majën nën kroasant.
- Vendoseni në një fletë për pjekje dhe mbulojeni shumë lehtë me folje plastike dhe lëreni të pushojnë për 1 ose 2 orë, deri sa të rriten dyfish.
- Nxehni furrën në 190C dhe ngadalë lyeni kroasanët me vezë
- Piqeni për 15-20 minuta apo deri sa të fryhen, të bëhen ngjyrë kafe dhe të duken petë-petë.
Dhe, kroasanët tuaj u bënë!
ju bëfshin mirë!